Veseli premton se milionat e konfiskuar nga pasuria e paligjshme do të investohen për vende të reja të punës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka bërë me dije se pasuria e sekuestruar nga kriminelët dhe keqpërdoruesit e taksave ka arritur në afër 40 milionë euro.
Ai ka thënë se këta miliona do të investohen në krijimin e vendeve të reja të punës.
“Ky është një shembull i luftës kundër korrupsionit dhe një prej mënyrave më të mira për ta vazhduar luftën është promovimi i njerëzve të rinj dhe kompetent si Abelard Tahiri”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Abelard Tahirit, si politikan i ri premtues, i kam dhënë mundësinë ta dëshmojë veten si ministër i Drejtësisë gjatë këtyre dy vjetëve. Me punë të pandalshme, pasuria e sekuestruar nga kriminelët dhe keqpërdoruesit e taksave ka arritur në afër 40 milionë euro.
Këto miliona do të investohen në krijimin e vendeve të reja të punës, në krijimin e mundësive për të rinj, që të mund të qëndrojnë këtu dhe së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për shtetin. Në vend të veturave luksoze të pasanikëve të korruptuar, do të kemi investime cilësore për të rinjtë.
Ky është një shembull i luftës kundër korrupsionit dhe një prej mënyrave më të mira për ta vazhduar luftën është promovimi i njerëzve të rinj dhe kompetent si Abelard Tahiri.
/Epoka e re/