Veseli pret në takim lamtumirës ambasadorin britanik dhe ambasadoren kroate
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin britanik, Ruairí O’Connell dhe ambasadorem kroate, Marija Kapitanoviq.
Në profilin e tij në “Facebook”, Veseli ka shkruar se mysafirëve u ka shprehur mirënjohjen për kontributin e dhënë gjatë kohës që kanë shërbyer në Kosovë dhe u ka uruar punë të mbarë në detyrat e tyre të ardhshme.
Ky është postimi i plotë i Veselit:
Mëngjesin e sotshëm e kalova me disa miq ambasadorë që po përfundojnë mandatin e tyre në Kosovë. Ambasadorit britanik, Ruairí O’Connell dhe ambasadores kroate, Marija Kapitanoviq, iu shpreha mirënjohjen për kontributin e dhënë gjatë kohës që kanë shërbyer në Kosovë dhe iu urova punë të mbarë në detyrat e tyre të ardhshme.
Kosova e arriti pavarësinë e saj fal luftës së guximshme të UÇK-së nga njëra anë dhe duke ndërtuar një koalicion të fuqishëm me partnerët ndërkombëtarë nga ana tjetër. Një nga temat për të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e ardhshme është nëse Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë apo do t’i trajtojë partnerët tanë si të ishin armiq dhe të përpiqet të mbijetojë e vetmuar.
Unë gjithmonë kam besuar në partneritet. Unë mendoj se për të pasur sukses dhe prosperitet, duhet të ruajmë marrëdhëniet speciale që kemi ndërtuar me SHBA-të dhe BE-në. Unë jam i bindur se duke dëmtuar këtë lidhje dëmtohet Kosova, prandaj ne nuk duhet ta lejojmë që të ndodh kjo gjë.
/Epoka e re/