Veseli: Qeveria dështoi, por institucionet funksionuan
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri. Ai ka falënderuar të gjithë policët për punën e mirë që po kryejnë gjatë pandemisë.
Kreu i PDK-së ka thënë se, pavarësisht prej dështimeve të vazhdueshme të qeverisë në 100 ditët e saj, institucionet e Kosovës, të krijuara me shumë mund gjatë 20 vjetëve, funksionuan shumë mirë. “Akademia e Policisë nuk është duke punuar, mirëpo efektet e Akademisë janë duke u parë, të cilat janë funksionale dhe kredibile dhe të cilat kanë besim te qytetarët në momentin kur kemi vendime politike të cilat janë kaotike dhe krijojnë konfuzion siç ka bërë kjo qeveri këto 100 ditë”, ka thënë Veseli dhe ka shtuar se sot është 100 ditëshi i kësaj qeverisje dhe janë 100 dështime të njëpasnjëshme. “Por 20 vjet investime në institucionet e Kosovës tregojnë se Policia, Zjarrfikësit, Dogana dhe punonjësit shëndetësorë janë duke kryer punën e vet”, ka thënë krenari i PDK-së.
Ndërkaq Ismail Smakiqi, drejtor i Akademisë për Siguri Publike në Vushtrri, ka treguar se nuk kanë kadetë të mjaftueshëm. “Meqenëse nuk kemi kadetë, nuk kemi studentë dhe po vazhdojmë punën online. Për kadetë po presim momentin që institucionet qendrore ta vazhdojnë punën, sepse Policia e Kosovës ka nevojë për kadetë dhe kjo është gjendja momentale. Ne kemi një staf esencial, që është në përgatitje të riakreditimeve të akademisë”, ka deklaruar Smakiqi.
Ai ka folur edhe për akreditimet qe do të kenë vitin e ardhshëm. “Tri akreditime kemi vitin e ardhshëm, programe profesionale, studimore dhe një program, por edhe një ndërkombëtare që e ka Akademia e ShBA-së. Po shpresojmë se do të vazhdojmë me këto riakreditime dhe jemi në përgatitje të tyre”, ka thënë ai.