Veseli: Qeveria ka nxitur debatin më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar pas deklaratave të senatorit republikan, David Perdue, i cili ka përmendur rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në Kosovë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo deklaratë është më shumë se serioze.
Sipas tij, Qeveria aktuale, si asnjë qeveri tjetër e mëparshme, ka nxitur debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA.
Postimi i plotë i Veselit:
Në kohën kur mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është jetike dhe shumë e domosdoshme, Qeveria aktuale, si asnjë qeveri tjetër e mëparshme, ka nxitur debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA.
Deklarata e senatorit Republikan, David Perdue, për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në vendin tonë, është më shumë se serioze.
Vënia në dyshim e rolit të SHBA-ve nga Qeveria Kurti dhe aleancës sonë të palëkundur me shtetin amerikan, është dëmi më i madh që një i zgjedhur politik i Kosovës, ka arritur t’i bëjë shtetit tonë.
Vendosja e Kosovës në udhëkryq të rrezikshëm nacional, i ardhur jo nga ndonjë kërcënim i jashtëm, por nga aktet e pamenduara të vetë Kryeministrit, është shenjë e keqe për vendin tone.