Veseli: Qeveria në ikje është duke rrezikuar sovranitetin e veriut, të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një konference për media, ka thënë se zhvillimet e fundit në veri kanë cenuar rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Veseli ka thënë se akti i djeshëm i Serbisë, e cila shtriu gjendjen e saj të jashtëzakonshme në pjesë të Kosovës, duke futur me direktiva të Beogradit në karantinë dhe ndarë nga pjesa tjetër e vendit, dy komunat e Republikës se Kosovës, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, është cenim i rëndë i sovranitetit.
Ai ka theksuar se qeveria në ikje, përveç heshtjes ndaj kësaj situate, ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetarët shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera joserbe, në dorë të një shteti që as nuk i do dhe as nuk i mbron.
Veseli ka pohuar se muaj më parë në Kuvendin e Kosovës kishte paralajmëruar rrezikun që ky kryeministër do ta kthej Serbinë në Kosovë.
“Për javë të tëra kjo qeverie në ikje nuk ka reaguar ndaj vendosjes në veri të Kosovës të orës policore të imponuar nga Beogradi. Përveç heshtjes ndaj kësaj situatë, kjo qeveri ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetaret tanë, shqiptare dhe komuniteteve të tjera jo-serbe, në dorë të një shteti qe as nuk i do dhe as nuk i mbron. Por ajo që e bën më alarmante këtë situatë është fakti që kjo qeveri edhe ka aprovuar, me marrëveshje të fshehtë, futjen e qindra zyrtarëve të shtetit serb, ku jo të gjithë janë personel shëndetësor”, është shprehur Veseli.
Sipas Veseli, qeveria në largim është duke bërë aktin më të rëndë të dorëzim-kapitullimit të një pjese të territorit tonë.
“Ky kryeministër i shkarkuar, nuk duhet të lejohet që të vazhdojë me këto gabime të rënda të njëpasnjëshme. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të marrin masa urgjente për ta rikthyer sovranitetin në veri”, ka thënë ai.
Veseli po ashtu ka shtuar se duhet të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë.
“Pa humbur kohë, kjo situatë e rrezikshme kërkon medoemos mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për ta trajtuar këtë situatë me maksimumin e seriozitetit. Në Kuvendin e Kosovës kam paralajmëruar rrezikun që ky kryeministër do ta kthejë Serbinë në Kosovë”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/