Veseli: Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës krijon klimë të mirë për zgjidhjen e kontesteve tjera rajonale
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga ana e Parlamentit të Greqisë në lidhje me emrin e Maqedonisë.
Veseli ka thënë se Kosova duhet ta kapitalizojë këtë momentum dhe në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në të arrijë një marrëveshje të përhershme me Serbinë.
“Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek dhe atë maqedonas, Greqia dhe tanimë Republika e Maqedonisë Veriore i japin fund problemit tredekadësh të emrit. Pas shumë luftërave e kontesteve, Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë më afër garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë sesa tash. Kjo marrëveshje krijon një klimë të mirë për zgjidhjen e kontesteve tjera rajonale. Kosova duhet ta kapitalizojë këtë momentum dhe në bashkëpunim me ShBA-të dhe BE-në të arrijë një marrëveshje të përhershme me Serbinë. Vetëm kështu brezave të ardhshëm mund t’u garantojmë paqe, siguri e zhvillim”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/