Veseli: Rëndësi ka jetësimi i kësaj lige
Rahoveci – Peja është gjysmëfinalja e parë dhe shumë interesante. “Vreshtarët” u kualifikuan në gjysmëfinale pa lojë, pas tërheqjes së Teutës, ndërsa Peja ishte më e mirë se Vllaznia e Shkodrës.
Të dyja skuadrat duan depërtimin në finale dhe ta fitojnë trofeun e çmuar që është historik, pasi është hera e parë që zhvillohet një ligë mes Kosovës e Shqipërisë në sportet kolektive.
Basketbollisti i Rahovecit, Alban Veseli, është shprehur se rëndësi ka jetësimi i kësaj lige.
“Mendoj se më shumë sesa rezultatet ekipore, rëndësi ka jetësimi i kësaj lige. I përshëndes të dyja federatat (Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë) për finalizimin e këtij projekti madhështor. Sa i përket ndeshjes ndaj Pejës, do të jetë e paparashikueshme, duke marrë parasysh kualitetin e të dy skuadrave”, ka thënë Alban Veseli për faqen zyrtare të Ligës Unike.