Veseli: Rënia e Ilaz Kodrës, dëshmia më krenare e luftës për liri
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përkujtuar komandantin e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, në 19-vjetorin e rënies së tij.
Ai ka thënë se rënia e Ilaz Kodrës është dëshmia më krenare e qëndresës për liri.
“19 vite më parë, në prag të lirisë, duke mbrojtur popullatën civile nga sulmet barbare të ushtrisë serbe, ra Ilaz Kodra, njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 114 të saj. Ato ditë të rënda, mijëra trupa armike, nga të katër anët, e kishin mbërthyer Drenicën, e cila, edhe pse e mbetur pa bukë e municione, nuk po dorëzohej e as nënshtrohej. Rënia e Ilaz Kodrës është dëshmia më krenare e kësaj qëndrese të pashoqe. Sot, ne përkulemi me respekt para kujtimit të tij dhe mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën e lirë, të pavarur e sovrane”, ka shkuar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.