Veseli: Rinia e Sharrit i takon Dekadës së Re
Të rinjtë e të gjitha strukturave lokale të Rinisë Demokratike në Sharr, ishin mikpritës të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, me ç’rast zhvilluan edhe Kuvendin zgjedhor të të rinjve të PDK-së në qytetin më jugor të Kosovës.
Veseli me këtë rast ka thënë se Dekada e Re i takon rinisë e cila do të jetë shtyllë kryesore e zhvillimit të shtetit.
“Rinia jonë në historinë tonë të re, vlerësohet për aktivizmin e saj për shtetin dhe ndryshimin, ajo nuk ishte as nuk duhet të jetë vrojtuese pasive e proceseve. Kjo është vlerë e rinisë tonë, e cila punon dhe angazhohet për më të mirën e vet dhe të vendit. Partia Demokratike e Kosovës është adresa e duhur e të rinjve aktiv, që e duan vendin e vet dhe punojnë për ta bërë më të mirë. Dekada e Re, është faza e re e vendit tonë, e partisë tonë, ku të rinjtë janë fokus i saj, për zhvillim ekonomik dhe proceset integruese euro-atlantike”, theksoi kryetari Veseli.
Kreu i Partisë Demokratike ka shtuar se të rinjtë ishin dhe mbesin fokus i PDK-së.
“Dekada e Re, me pjesëmarrjen e rinisë tonë të mrekullueshme dhe inovatore, do ta ofroj vendin me vlerat evropiane ku në fokus është mirëqenia e të gjithë qytetarëve, promovimi i mundësive dhe gjasave të secilit”, theksoi Kryetari Veseli, duke shtuar se qëllimi madhor është Kosova e zhvilluar ekonomikisht dhe e integruar në Bashkimin Evropian.