Veseli: Samiti i Zagrebit e la të zbehtë perspektivën e zgjerimit të vendeve të rajonit

07 maj 2020 | 13:21

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka folur rreth Samitit të Zagrebit, i cili është mbajtur dje në mes të liderëve Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast, Veseli ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian për mbështetjen që kanë dhënë për të përballuar luftën kundër koronavirusit.

“Vlen të theksohet edhe angazhimi i dalë prej Deklaratës së Zagrebit, për të ndërmarrë një plan të fuqishëm investimesh për rajonin tonë në një kohë të dytë. Kjo gjë do të na ndihmonte shumë për t’u rimëkëmbur pas dëmeve të mëdha ekonomike që na ka shkaktuar koronavirusi”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Pavarësisht kësaj, Veseli ka thënë se është për të ardhur keq që Kosova është duke e paguar një çmim të padrejtë, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende të Bashkimit Evropian. “Qytetarët tanë kanë mbetur të vetmit që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, përkundër faktit që Kosova i ka përmbushur prej vitesh të gjitha kriteret e kërkuara”, ka shkruar Veseli, duke shtuar se Samiti i Zagrebit e ka lënë të zbehtë perspektivën e zgjerimit të vendeve të rajonit.

Postimi i plotë i Veselit:

Përshëndes Samitin e Zagrebit të mbajtur dje mes Liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të Partisë Popullore Evropiane si një konfirmim i kujdesit të BE-së për rajonin tonë. Falënderoj liderët e Bashkimit Evropian për mbështetjen bujare që kanë dhënë për të përballuar luftën kundër koronavirusit. Vlen të theksohet edhe angazhimi i dalë prej Deklaratës së Zagrebit, për të ndërmarrë një plan të fuqishëm investimesh për rajonin tonë në një kohë të dytë. Kjo gjë do të na ndihmonte shumë për t’u rimëkëmbur pas dëmeve të mëdha ekonomike që na ka shkaktuar koronavirusi.

Mirëpo është për të ardhur keq që Kosova po paguan një çmim të padrejtë, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende të Bashkimit Evropian.

Qytetarët tanë kanë mbetur të vetmit që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, përkundër faktit që Kosova i ka përmbushur prej vitesh të gjitha kriteret e kërkuara.

Ky samit gjithashtu e la të zbehtë perspektivën e zgjerimit të vendeve të rajonit, por kjo gjithsesi nuk duhet të na dekurajojë për të vazhduar me reformat e integrimit evropian sepse në fund të fundit bëhet fjalë për të arritur standarde që iu shërbejnë së pari interesave të qytetarëve tanë. (L.G: ‘Epoka e re’)

https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/photos/a.268197093355504/1581430815365452/?type=3&theater

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pothuajse 18 muaj pasi shpalli idenë për krijimin e një…