Veseli: Serbia do të përgjigjet për krimet që i ka kryer në Kosovë
Kryetari i PDK-së dhe njëherit kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës është intervistuar sot për tri orë resht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Por, cila ishte ndjesia që një nga themeluesit e UÇK-së e pati gjatë këtij intervistimi?
“Serbia do të përgjigjet për krimet që i ka kryer në Kosovë, pavarësisht vonesave dhe mendimit se do t’i ikë të gjitha veprimeve për gjenocidin e kryer mbi popullin tonë”.
“Kam ndërmarrë një iniciativë tash e disa muaj, edhe pse kam pasë dëshirë që të ecte më shpejt, por ajo nuk do të përfundojë. Serbia do të përgjigjet për krimet dhe gjenocidin që e ka kryer mbi popullatën e pafajshme”.
“Ajo që duhet të përgjigjet për krimet në Kosovë është vetëm Serbia – ushtria, policia dhe forcat paramilitare të cilat i ka pasë Serbia në Kosovë”.
“UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, të pastër dhe çlirimtare në mbrojtje të popullatës civile”.
Ai në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se mohimi i krimeve që janë kryer në Kosovë nga ana e politikanëve serbë është një veprim i gabuar.
“Mohimi i krimeve makabre serbe që po e bëjnë politikanët në Serbi është gabim. Nuk duhet të bëjmë gara mes kombeve, por duhet të bëjmë gara kundër krimit dhe gjenocidit që ka ndodhur në mënyrë që në të ardhmen historia të mos përsëritet”.
“Kosova ka nevojë t’ia hapë perspektivën vetes. Nuk ka asgjë që na ndalë në luftën time për një shtet ligjor, për drejtësi, të vërtetën, zhvillim dhe perspektivë për gjeneratën e re, por edhe për gjeneratën që është ballafaquar me këto padrejtësi që kemi kaluar”.
“Ajo çfarë duhet ta bëjë optimist popullin tonë është se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka perspektivë, do të jetë më i fuqishëm dhe do ta mbrojë të vërtetën e vet”.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka thënë se e vërteta e popullit të Kosovës ka fuqi shumë më të madhe se secila ‘re e zezë’.
“Do të daraviten ‘retë e zeza’ sikur mjegulla që është mbi Prishtinë. Do të daraviten për vet faktin se e vërteta e popullit të Kosovës është shumë më e fuqishme se çdo mjegullë që mund t’i vihet”.
“Ajo që çfarë duhet të bëjmë bashkërisht është që duhet të qëndrojmë afër njëri-tjetrin dhe ta mbajmë më të fuqishëm shtetin tonë dhe të punojmë më përgjegjshëm për të”.
“Jemi duke ecur përpara, mjegullat që mund t’i kemi përballë duhet t’i daravitim”.
“Unë e kam drejtimin shumë të qartë dhe jam shumë i vendosur. Nuk ka sfidë që mund të na ndalë në qëllimin tonë për një komb më të fuqishëm, të integruar dhe me më shumë drejtësi dhe mirëqenie ekonomike”.