Veseli shkon në veri pas aksionit të policisë
Pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, kryetari i Kuvendit dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar komunën e Zubin Potokut, konkretisht fshatin Çabër, ku është takuar me banorët e këtij fshati.
Gjatë këtij takimi, Veseli ka thënë se shteti i Kosovës është përkushtuar dhe i vendosur për rend dhe ligj.
“Shkova dhe bisedova me banorët e fshatit Çabër të komunës kosovare të Zubin Potokut, për t’i qetësuar dhe siguruar ata se shteti i Kosovës mbetet i përkushtuar për të vendosur rendin dhe ligjin në çdo pjesë të Kosovës. Ne nuk do t’i lëmë asnjëherë vetëm ata. I sigurova që, me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë perëndimorë, ne do t’ia dalim të ndërtojmë një shtet liberal-demokratik të së drejtës e sundimit të ligjit. Do të ndërtojmë një shtet ku të gjithë qytetarët të bëjnë jetën e tyre të qetë dhe të sigurt në vendin e tyre”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në “Facebook”.
/Epoka e re/