Veseli shkruan edhe në ‘Facebook’ për takimin që pati me drejtuesit e odave ekonomike
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar për takimin që ka zhvilluar sot me drejtuesit e odave kryesore ekonomike të Kosovës.
Veseli ka treguar se në këtë takim është diskutuar mbi kërcënimet që po i vijnë ekonomisë prej pandemisë.
“Prej tyre mësova se mbi 60 mijë biznese dhe mbi 280 mijë punëtorë të sektorit privat janë pranë kolapsit ekonomik dhe kanë nevojë imediate për mbështetjen e shtetit. Iu tregova se PDK-ja ka disa javë që ka propozuar një pako emergjente, prej së paku 300 milionë euro, për të stimuluar ekonominë dhe ndihmuar punëtorët e sektorit privat. Qeveria në ikje ka folur për një propozim të vonuar, të pamjaftueshëm të cilën po përpiqet ta kalojë në mënyrë të paligjshme duke anashkaluar detyrimin kushtetues për të kaluar në kuvend ristrukturimin e buxhetit”..
“Nuk ka më kohë për të humbur, gjendja është alarmante të gjitha vendet e Evropës e kanë tashmë në veprim plane emergjente ekonomike për situatën. Prandaj, si lider i opozitës, do të marr iniciativën për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku do të mund të hartojmë bashkarisht një pako të plotë e gjithëpërfshirëse për shpëtuar ekonominë të cilën mandej ta votojmë e vëmë në zbatim menjëherë”, ka shkruar Veseli.
/Epoka e re/