Veseli shpreh interesim për intensifikimin e marrëdhënieve ndërparlamentare me Slloveninë
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erjavec, me të cilin ka diskutuar për raportet e shkëlqyera ndërmjet të dyja vendeve dhe mundësitë e avancimit të tyre në shumë fusha, veçanërisht në sferën ekonomike.
Veseli e ka njoftuar kryediplomatin slloven për zhvillimet në Kosovë dhe në Kuvendin, me fokus në agjendën evropiane si prioritet nacional.
Kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar ministrin Erjavec për kontributin e vazhdueshëm të Sllovenisë në drejtim të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës, zhvillimit ekonomik, si dhe për përkrahjen në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Veseli ka theksuar nevojën e intensifikimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe vazhdimit të përkrahjes së Lubjanës zyrtare për Kosovën edhe në të ardhmen.
Kurse ministri i jashtëm slloven, Karl Erjavec, ka bërë me dije se mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk do të mungojë, si në sektorin ekonomik, ashtu edhe në realizimin sa më të suksesshëm të procesit të integrimeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.