Veseli: Shqipëria nuk bie nga Liga C
Frederik Veseli me shumë gjasë do të luajë si mbrojtës i djathtë në ndeshjen me Skocinë. Në mungesë të Hysajt për shkak kartonësh, mbrojtësi i Empolit pritet që ta zërë vendin e tij në linjën e djathtë.
Veseli theksoi se ai dhe skuadra nuk e mendojnë rënien nga Liga C. 25-vjeçari ka treguar se situata në skuadër është e mirë dhe besimi është i madh se ndaj Skocisë do të arrihet një rezultat pozitiv për ta zënë vendin e dytë. “Jam gati dhe jam rikthyer nga dëmtimi prej dy javësh. Kam punuar shumë dhe them se jam gati për këto ndeshje. Kemi disa mungesa dhe do të shohim. Do të jap më të mirën nëse do të jem në fushë. Them se e kam lënë pas krahëve dëmtimin”, ka thënë Veseli.
“I kemi pësuar disa gola që mund t’i evitonim. Janë disa gjëra pozitive dhe disa gjëra negative që duhet t’i përmirësojmë. Të insistojmë te gjërat pozitive dhe ta gjejmë rrugën drejt suksesit për këto dy ndeshje. Kam luajtur shumë herë në të djathtë dhe nuk do të jetë problem për mua. Nëse më cakton trajneri aty, do ta jap më të mirën. Duke qenë se jam pak më shumë difensiv, varet nga trajneri. Unë do të jap maksimumin gjithnjë”, ka shtuar Veseli, i cili ka lavdëruar edhe paraqitjet e disa prej futbollistëve kuqezi në skuadrat ku aktivizohen. “Besoj se në mënyrë individuale them jemi në mënyrë të mirë, si ne lojtarët e mbrojtjes ashtu dhe në sulm. Gredza ka shënuar, Binaku, unë e Gjimshiti kemi luajtur. Uroj që ky moment pozitiv të na shtyjë para dhe të arrijmë një fitore ose një rezultat pozitiv në këto dy ndeshje”, ka thënë ai. Mbrojtësi Veseli nuk beson se Shqipëria do të bjerë nga Liga C.
“Ne nuk kemi presion. Kemi mentalitetin për të dhënë më të mirën dhe të shkojmë në vendin e dytë. Nuk e kemi menduar se do të biem nga Liga C. Ne besojmë se do ta arrijmë vendin e dytë”, ka përfunduar Veseli.