Veseli: Shumë shpejt do të miratohet Ligji për vlerat e luftës së UÇK-së
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka bërë me dije se shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do ta miratojë Ligjin për Vlerat e Luftës së UÇK-së.
Në llogarinë e vet në “Facebook”, Veseli ka shkruar se me anë të këtij ligji, shteti i Kosovës do të mbrojë dinjitetin e sakrificave të popullit tonë për liri.
“Në këtë ditë kur kujtohen e nderohen dëshmorët, dua t’i njoftoj qytetarët se shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do ta miratojë Ligjin për Vlerat u Luftës së UÇK-së. Me anë të këtij ligji, shteti ynë do të mbrojë dinjitetin e sakrificave të popullit tonë për liri. Luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të martirëve, do t’u garantohet me ligj dinjiteti. Dinjiteti i UÇK-së nënkupton edhe që abuzuesit me lista të veteranëve të mos munden që edhe më tutje ta dëmtojnë nderin e luftës sonë për liri dhe buxhetin e shtetit”, ka shkruar Veseli.
Ai ka theksuar se UÇK-ja është vlerë sublime e kombit tonë. “Prandaj nuk do të lejojmë që emri dhe nderi i saj të njollosen, as nga armiqtë tanë, e as nga profiterët meskinë. Ligji për Vlerat e UÇK-së, po ashtu do ta rregullojë përfundimisht çështjen e Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Lirisë. Gjithashtu edhe themelimin e Muzeut Kombëtar të Luftës Çlirimtare. Gjithmonë krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/