Veseli: Sikur vetëm 1 votë të ishim prapa partisë së parë, do të shkonim në opozitë
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur për herë të parë pas humbjes së pushtetit pas 12 vjetësh qëndrimi në pozitë.
Veseli tha se ishte vullneti i qytetarëve ai që e bëri partinë e tij të deklarohet për opozitë.
Veseli ka thënë se proceset zgjedhore në Kosovë zakonisht janë shembull për tjerët, përpos disa problemeve të vogla por që thotë s’mund të kenë pasur shumë ndikim në rezultate.
Duke folur për votat e marra në zgjedhjet e 6 tetorit dhe duke i krahasuar ato me rezultatet e vitit 2017 kur PDK ishte në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Nismën, dhe mbi 20 parti tjera të vogla, Veseli tha se nuk mund të bëhen paralele të tilla.
“Në fund do të kemi nga 177-180 mijë vota. Si koalicion PAN, kemi shumë më shumë vota se në zgjedhjet e kaluara. PDK-së nuk i ka bërë shumë hajër dhënia e postit të kryeministrit në dy mandatet e kaluara”, ka thënë Veseli në emosionin “Rubikon”.
Ai ka kujtuar kur partitë tjera nuk kanë dashur të bashkqeverisin me PDK-në, si kohën e VLAN-it, por tha se asokohe u bënë bashkë humbësit, por sërish PDK-ja i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit që pati zgjatur 6 muaj.
“Pastaj më 2017 patëm një situatë pothuajse të njëjtë, por ne deshëm të evitonim krizat. Humbësit më 2014 krijuan një situatë që nuk i bëri hajër Kosovës, e assesi as PDK-së. Më 2017, nga favoriti i dhashë postin e kryeministrit një tjetri. Më pas u krijua përshtypja në opinion se PDK-ja dëshiron vetëm të jetë në pushtet dhe nuk e do kryeministrinë”, tha kreu i PDK-së, Kadri Veseli.
Ai potencoi se sikur PDK-ja të ishte vetëm 1 votë prapa partisë së parë në zgjedhjet e fundit, “ne do të shkonim në opozitë”.