Veseli: S`ka forcë që mund ta ndalë themelimin e tribunalit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk ka forcë që do të mund ta ndalë themelimin e tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.
Në shënim e 20-vjetorit të masakrës së Dubravës, ai ka thënë se vrasja masive e njerëzve në këtë burg, është një prej dëshmive më të qarta që tregon organizimin, platformën dhe planifikimin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë.
Para qindra familjarëve të vrarë në këtë masakër, të mbijetuarve të saj dhe të pranishmëve të tjerë, Veseli ka thënë se kjo ditë përkujtimi është menduar të ishte pas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për inicimin e themelimit të tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.
“Grumbullimi i tërë të dënuarve shqiptarë në një vend, madje duke i tubuar të gjithë ata në Kosovë – ku ndërmarrja e autoriteteve politike, policore dhe ushtarake serbe për zhdukjen e shqiptarëve ishte në veprim të gjerë – është pasqyrim i saktë i këtij gjenocidi”, ka theksuar Veseli, duke shtuar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në mënyrë të organizuar dhe ende sot Serbia nuk ka as mëdyshjen minimale për t’u zmbrapsur nga e kaluara e vet kriminale.
“Unë i takoj një koncepti që beson te liria, e drejta dhe pajtimi. E kam luftuar shtetin serb dhe jam krenar që populli ynë ka arritur ta fitojë lirinë. Si dëshmitar dhe pjesëmarrës, dua ta them një fakt që të gjithë e dimë: lutjet dhe sjelljet tona të mira nuk e ndalën Serbinë në ndërmarrjen e saj për vrasjen e njerëzve tanë të pafajshëm dhe dëbimin masiv. Por, lufta e drejtë e popullit tonë, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në krye, e përkrahur edhe nga SHBA-të dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e bëri këtë dhe e largoi të keqen nga ky vend”, ka shtuar Veseli.
Ai ka deklaruar se sot Kosova ka nevojë për perspektivë të qartë dhe të ardhme të sigurt. “Nuk mund të vazhdojmë çdo vit njësoj, me të njëjtat fjalë dhe me të njëjtën pafuqi. Nuk guxojmë ta rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, duke mbjell frymën e dorëzimit. Kështu na rrezikohet vetëm të përsëritet historia. Shteti i Kosovës duhet të veprojë konkretisht për të kërkuar drejtësi për gjenocidin serb në Kosovë. Vendimi institucional për ta adresuar dhimbjen e kombit tonë, me kërkesa të qarta për vetveten, Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, është i domosdoshëm. Jam i sigurt në përkrahjen e botës perëndimore për këtë”, ka deklaruar Veseli, duke shtuar se riti i vajtimit vit për vit në përvjetorë masakrash duhet të marrë fund dhe vënia para drejtësisë e shkaktarëve të dhimbjeve tona duhet të fillojë.
“Kosova duhet të përgatitet, duke e vënë drejtësinë në vend për gjenocidin serb, edhe për jetën në fqinjësi të mirë, edhe në paqe me të gjithë, e edhe me Serbinë. Ndaj këtij gjaku të derdhur në këtë vend dhe ndaj gjithë atyre që kanë rënë për lirinë e kësaj toke, e kemi borxh ne të gjallët t’i përkujtojmë, por të punojmë edhe më shumë që e kaluara më të mos përsëritet kurrë dhe të punojmë që çdo ditë të kemi një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë. Derisa tribunali ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë do të ndodhë. Ai është i pashmangshëm dhe nuk ka asnjë forcë që mund ta ndalë”, ka thënë Veseli.
/Epoka e re/