Veseli: S’kam qenë në dijeni për asgjë, më erdhën papritur fotografia dhe reagimet
Kryeparlamentari i Kosovës dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës është deklaruar edhe njëherë rreth fotografisë së publikuar nga deputetja e partisë së tij Flora Brovina.
Ai ka deklruar se nuk e di nëse janë të vërteta fotografitë, por e di se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi dhe krimi serb.
“Nuk e di nëse fotografitë janë të vërteta ose nuk janë, por ajo çfarë e di unë dhe e di çdo njeri në Kosovë është se gjenocidi serb ka ndodhur në Kosovë, krimet dhe dhunimet kanë ndodhur në Kosovë. Flora Brovina dhe Saranda Bogujevci kanë kaluar në një situate të rëndë dhe situate traumatike, por ne do të shkojmë deri në fund sepse më e rëndë është krimi dhe gjenocidi që ka bërë Serbia në Kosovë. Është e rëndë, është shqetësuese, por nuk guxon të na disorientoj nga qëllimi ynë që është ngritja e Tribunalit Ndërkombëtar, Muzeun e Gjenocidit, Ditës së Gjenocidit, Muzeut të Dëbimit”, tha Veseli për “Klan Kosova”.
I pyetur nëse ka qenë në dijeni për publikimin e këtyre fotografive nga deputetja e partisë së tij, ai tha se ka qenë e papritur për të edhe fotografia edhe reagimet.
“Për mua kanë qenë të papritura edhe fotografitë edhe reagimet. Në momentin kur kemi filluar kemi pasur një shkëmbim, ku kam kërkuar që të mos vendoset asnjë fotografi për ta lënduar dikënd. Gjenocidi serb ka ndodhur në Kosovë, pavarësisht fotografive, ka dëshmi, ka dëshmitar, çdo rrugë, çdo lagje, çdo fshat çdo qytet kanë ndodhur krime serbe. Ne do të bëjmë që nga shteti serb e deri tek kriminelët të paguajnë për këtë. Mund të jetë pikërisht ajo që mediet tona e thonë, por fokusi ynë është gjenocidi serb, krimet serbe dhe ekzekutuesit”, tha Veseli.
Veseli është shprehur gjithashtu se deputetët e kanë pavarësinë e tyre dhe shpesh ndikohen nga emocionet.
Ai gjithashtu ka pohuar se deputetes Brovina dhe deputetes Bogujevci u ka ndodhur diçka e rëndë sonte por se ekzistojnë dëshmi se këto krime kanë ndodhur në Kosovë.
“Kjo është edhe një dhembje më shumë që iu është shkaktuar sonte Kosovës, si konsekuencë e gjithë asaj. Zakonisht deputetët e kanë një lloj pavarësie dhe veprimet janë shpesh emocionale, janë të bindur, unë e shoh shpesh nga deklarimet, kam ftuar të gjitha institucionet që të kemi takim për këtë çështje që t’i jepet drejtim. Ajo insiston, kjo është e rënda, kur e dimë se është një grua që ka pësuar bukur rëndë me përjetime të veta, pastaj një vazhdimësi e kësaj, dëshmia e zonjës Bogujevci se familja ka kërkuar që fotografia të largohet”, tha Veseli.
Ai tha se mund të jetë edhe gabim dhe mund të ketë pavërtetësi tek fotografia e publikuar, por gjithashtu tha se ka dëshmi të krimeve serbe në Kosovë.
Gjithashtu, kryeparlamentari Veseli është shprehur se me këtë rast edhe në qoftë se është gabim nuk është gabim institucional, por individual.
“Akti është individual dhe fotografia është publikuar jashtë foltores së Kuvendit. Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asgjë që është gabim institucional, ajo që kanë bërë Flora Brovina dhe Saranda Bogujevci janë përgjegjësi individuale.”, tha Veseli.
Ai dha edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës dhe deputetit e Kuvendit të Kosovës.
“Mos u zbrazni, duhet të ecim përpara dhe nuk do të zbrazemi. Ne do ta çojmë deri në fund dhe Serbia do të paguaj krimet. Nuk ka rrugë tjetër. Të ecim përpara, sido që të ketë ndodhur gabimi, të ecim përpara. Të mos kemi luftë mes nesh, sepse ashtu do Serbia”, tha ai.