Veseli: Stadiumi Kombëtar i Kosovës do të jetë nga më modernët në rajon
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, në shoqërimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vizituar lokacionin ku vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i Stadiumit Kombëtar.
Ai ka thënë se ky kompleks sportiv do të jetë nga më modernët në rajon.
Veseli është zotuar se do të ketë investime në ngritjen e infrastrukturës sportive gjithandej Kosovës.
“Vitin e ardhshëm, në këtë lokacion pritet të fillojë ndërtimi i Stadiumit Kombëtar. Ky kompleks sportiv do të jetë nga më modernët në rajon. Do të investojmë në ngritjen e infrastrukturës sportive gjithandej Kosovës, në mënyrë që rinia jonë e talentuar të ketë kushte më të mira dhe me sukseset e saj ta bëjë krenar shtetin tonë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/