Veseli: Suksesi në sport, dëshmi se investimi tek rinia sjell rezultate
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vlerësuar se investimi në rininë e Kosovës gjithmonë sjell rezultate.
Veseli, i cili është kandidat për kryeministër, ka thënë se do të vazhdojë edhe më fuqishëm ta mbështesë rininë e Kosovës në të gjitha fushat.
Pas vizitës që i ka bërë sot klubit të karatesë “Kampioni” në Prishtinë, Veseli në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se nxënësit e këtij klubi të suksesshëm, Melosi dhe Mirlindi, në tetor do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në Kampionatin Botëror të Karatesë për të rinj, që mbahet në Kili.
“Ata më kërkuan ta bënim një marrëveshje dhe të takohemi sërish pas tetorit, por ata me medalje dhe unë si kryeministër”, ka shkruar Veseli.
Postimi i plotë i Veselit:
Suksesi i rinisë në sport është një demonstrim që investimi te të rinjtë sjell rezultate dhe ne do të vazhdojmë të investojmë në rininë tonë si prioriteti ynë kryesor.
Në klubin e karatesë “Kampioni”, që njihet për suksese brenda dhe jashtë vendit, sot pata një befasi të këndshme, pasi takova trajnerin Muhamet Rexhepi pas 21 vjetësh. Herën e fundit që ishim takuar ishte marsi i vitit 1998 në Has, kur bashkë me Agim Bajramin, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Bekim Berishën, Hashim Thaçin dhe shokë të tjerë kishim hyrë në Kosovë.
Kënaqësi e madhe kur sheh një mik të vjetër që dikur mbështeste luftën çlirimtare, duke krijuar sot kampionë që e nderojnë Kosovën kudo nëpër botë.
Nxënësit e tij, Melosi dhe Mirlindi, në tetor do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në Kampionatin Botëror të Karatesë për të rinj, që mbahet në Kili. Ata më kërkuan ta bënim një marrëveshje dhe të takohemi sërish pas tetorit, por ata me medalje dhe unë si kryeministër.
/Epoka e re/