Veseli takoi familjarët e heronjve Idriz Seferi, Shaban Polluzha, Marie Sllaku dhe Ismail Thaqi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim familjarët e heronjve të cilët janë vendosur në pullat postare të Kosovës: Idriz Seferi, Shaban Polluzha, Marie Sllaku dhe Ismail (Imer) Thaqi.
Në këtë takim kryeparlamentari Veseli ka thënë se për Kosovën është nder që figura heronjsh e veprimtarësh si Idriz Seferi, Shaban Polluzha, Marie Sllaku, Ismail Thaqi e shumë të tjerë, të jenë imazh përfaqësues i saj.
Ai ka theksuar se u takon të gjithëve të nderojnë figurat e shquara kombëtare, të cilët me veprën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në përpjekjet e popullit tonë për liri, duke u bërë frymëzim për gjeneratat dhe brezat pasues, të cilët vazhduan dhe çuan më tej kauzën e popullit tonë.
Ndërkohë familjarët e veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare e kanë falënderuar kryetarin Veseli dhe institucionet e Kosovës, të cilat sipas tyre, po lartësojnë figurat e shquara kombëtare, duke i bërë kështu nder të kaluarës së lavdishme dhe të ardhmes së kombit tonë.
/Epoka e re/