Veseli takoi një delegacion nga Kongresi Amerikan
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim një delegacion nga Kongresi Amerikan, të kryesuar nga Omri Rahmil, këshilltar politik i kongresmenit Peter Roskam (kryetar i Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë – HDP), shoqëruar nga përfaqësues të USAID-it dhe NDI-së nga Uashingtoni.
Në këtë takim është diskutuar për partneritetin midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kongresit Amerikan dhe ndihmën e gjithanshme që agjencitë e ShBA-së i kanë dhënë dhe po i japin Kuvendit në ngritjen e kapaciteteve në shumë segmente.
Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka falënderuar miqtë amerikanë për këtë mbështetje, duke garantuar vazhdimin e këtij partneriteti edhe në të ardhmen.
Ndërsa zyrtarët nga Kongresi Amerikan kanë falënderuar Veselin për bashkëpunimin e ngushtë, si dhe kanë vlerësuar punën e mirë në fushën e transparencës para publikut dhe të llogaridhënies.
/Epoka e re/