Veseli takoi një delegacion nga Landi i Baden Wuttenbergut
Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të martën në një takim një delegacion nga Landi i Baden Wuttenbergut në Gjermani, të përbërë nga përfaqësues të ekzekutivit dhe legjislativit të këtij landi.
Ky delegacion kryesohej nga Gisela Erler, këshilltare shtetërore.
Veseli ka informuar mysafirët nga Gjermania me zhvillimet e përgjithshme në vend, në veçanti me punën e Kuvendit të Kosovës në miratimin e shumë reformave legjislative në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë.
Kryetari Veseli ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për integrimet evropiane.
Veseli ka vlerësuar përkrahjen që Gjermania i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. Në këtë drejtim, ai ka thënë se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të thellohet, duke theksuar nevojën që, në veçanti Landi i Baden Wuttenbergut, ta mbështesë Kosovën në edukim profesional sipas modelit gjerman, në ekspertizë në fushën e ekonomisë dhe mbështetje në raport me integrimin evropian.
Ndërsa anëtarët e delegacionit nga Gjermania ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për vendin tonë.