Veseli takon ambasadorët e Quintit, flasin për arritjen e konsensusit për dialog
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, të enjten ka pritur në takim ambasadorët e Quintit, me të cilët ka biseduar për intensifikimin e përpjekjeve për arritjen e konsensusit për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, takimi i së enjtes me një pjesë të opozitës ka qenë hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
“Me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, biseduam për nevojën që të bashkohemi, pozitë dhe opozitë, në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi i sotëm, në të cilin me një pjesë të opozitës diskutuam për Draft-Rezolutën për dialogun, ishte një hap i rëndësishëm. Në ditët në vazhdim do t’i intensifikojmë përpjekjet që konsensusi të ndodhë sa më parë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/