
Veseli takon degët e Pejës dhe Kamenicës: Entuziazëm i madh për fitore
Në vazhdën e takimeve mobilizuese me degë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar kryesitë e degëve Pejë e Kamenicë. Veseli dhe anëtarësia e degëve biseduan për përgatitje që PDK dhe degët e saj po bën në terren në komunikim me strukturën dhe qytetarët.
Ai tha se ka një angazhim maksimal nga strukturat dhe shumë qytetarë, të rinj e të reja po bashkohen për t’u bërë pjesë e fitores për Kosovën.
“Ne jemi të gatshëm që të hyjmë në këtë proces për fitore bindëse. Ky është vullneti i qytetarëve anekënd Kosovës dhe kjo po dëshmohet çdo ditë me entuziazmin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm që ne të marrim përgjegjësitë për të çuar përpara shtetin e Kosovës.
Të rinj e të reja, gra e burra po na bashkohen çdo ditë në fitoren e radhës së PDK-së dhe Kosovës”, ka thënë Veseli.
Nga ana e tyre, anëtarët e degëve folën për përgatitjet që tashmë kanë filluar për procesin zgjedhor, duke theksuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët që të adresojnë bashkërisht sfidat që ka vendi.
/Epoka e re/