Veseli takon kryediplomatin malazez, pajtohen për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet që Kosova dhe Mali i Zi kanë ndërtuar midis tyre, si dhe për mundësinë e avancimit të tyre në të gjitha sferat e bashkëpunimit, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në kultivimin e politikës së saj të fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Malin e Zi, në funksion të forcimit të stabilitetit rajonal e të integrimit më të shpejt evropian.
Ndërsa ministri i Jashtëm malazez, Darmanoviq, pasi ka shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, ka theksuar nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit midis Prishtinës dhe Podgoricës zyrtare.
Ai ka thënë se vizita e tij në Prishtinë është mesazh i këtij bashkëpunimi dhe mëton t’i japë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërparlamentare Kosovë – Mal i Zi.
/Epoka e re/