Veseli takon përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës njëherësh lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka takuar përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve të Kosovës me të cilët ka diskutuar për gjendjen në shëndetësi.
Me këtë rast ai ka thënë se me vendime të guximshme, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka arritur të bëjë atë që nuk e ka bërë askush për dy dekada në shëndetësi.
“Kështu ndodh kur vendosim njerëz të rinj në pozita udhëheqëse dhe u japim mundësi. Në takim me përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve të Kosovës theksova se shembulli i shëndetësisë, që për herë të parë udhëhiqet nga PDK-ja, me mua si kryeministër do të jetë modeli i luftës sonë kundër korrupsionit”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se me gjashtë milionë euro të shpëtuara duke luftuar korrupsionin në shëndetësi tani çdo vit mund të investohet më shumë dhe të ndërtohen spitale të reja, të blihen aparatura të reja dhe barna shumë më cilësore.
“Kjo është zgjedhja që duhet ta bëjnë qytetarët e Kosovës: t’i investojnë miliona euro në korrupsion apo miliona euro në investime konkrete. Duke bërë zgjedhjen e duhur, ne mund ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë në vendin tonë!”, është shprehur Veseli.
/Epoka e re/