Veseli takon presidenten kroate në Stamboll, merr mbështetje për rrugën euroatlantike të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim me presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.
Në këtë takim, Veseli dhe Kitaroviq kanë diskutuar për raportet e shkëlqyeshme që Kosova dhe Kroacia kanë ndërtuar ndër vite midis tyre.
Ata kanë theksuar se ka mundësi të intensifikimit të tyre në fusha të ndryshme të interesit reciprok, veçanërisht në atë ekonomiko-tregtar.
Takimi ndërmjet kryeparlamentarit Veseli dhe presidentes kroate është zhvilluar në margjina të Forumit Botëror të Investitorëve “World Business Angels Investment Forum” (WBAF), i cili po mbahet në Stamboll.
Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën edhe në të ardhmen, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar, në funksion të ruajtjes së paqes në rajon dhe të avancimit të shteteve ballkanike në rrugëtimin euroatlantik.
Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thënë se mbështetja e Zagrebit zyrtar për Kosovën është e rëndësishme po aq sa deri tani. Ai ka vlerësuar se procesi i integrimit euro-atlantik të Kroacisë vazhdon të mbetet model për shtetet e tjera të rajonit.
/Epoka e re/