Veseli takon qytetarët që kanë blerë banesa por nuk e posedojnë pronësinë e tyre
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar sot me qytetarë të Prishtinës që para shumë vjetësh kanë blerë banesa, por ende nuk e posedojnë pronësinë e tyre.
Veseli ka thënë se këta qytetarë paguajnë taksa për këto prona, por ende nuk ua japin fletat poseduese për to.
“Pra, nuk mund t’i gëzojnë plotësisht banesat që kanë blerë me kursimet e punës së tyre dhe, pa fletat poseduese, nuk kanë mundësi as t’i shesin për të blerë ndonjë më të madhe, tani që u është rritur familja. Madje, ato banesa nuk u pranohen as si kolateral hipoteke për të marrë kredi dhe për të investuar në diçka tjetër”, ka thënë Veseli.
“Atyre u premtova se me përshpejtimin e procedurave të legalizimit për banesat e tyre, brenda dy vjetësh do të ndjehen vërtet zot shtëpie brenda tyre. Me Planin Kundër Korrupsionit do t’i japim fund ankthit të dhjetëra mijëra qytetarëve që kanë blerë prona, por ende nuk e posedojnë pronësinë e tyre”, ka deklaruar Veseli.