Veseli: Të fuqizohet roli i Agjencisë Kundër Korrupsionit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, nga i cili ka pranuar raportin vjetor të punës së kësaj agjencie.
Kryeparlamentari Veseli ka përgëzuar drejtuesin e AKK-së për punën e institucionit që drejton, duke i ofruar njëkohësisht mbështetje për iniciativat për ndryshimet e ligjeve në domenin e AKK-së.
Veseli ka theksuar nevojën e fuqizimit të rolit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, si një prej shtyllave të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.
Ndërsa drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për mbështetjen, ndërsa ka konfirmuar përkushtimin e Agjencisë për të kryer me përgjegjësi detyrat dhe obligimet ligjore që ajo ka para vetes.