Veseli: Do të përkrah çdo iniciativë për avancimin e pozitës së gruas
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të enjten në takim Bordin e Grupit të Grave Deputete (GGD), në përbërje: Mexhide Mjaku-Topalli, Teuta Haxhiu, Lirije Kajtazi, Besa Baftiu, Saranda Bogujevci dhe Jasmina Zhivkoviq.
Kryeparlamentari Veseli, pasi ka uruar deputeten Mexhide Mjaku-Topalli për zgjedhjen e saj në krye të GGD-së, ka theksuar se është i njoftuar me punën e mirë që po bën ky grup.
Veseli ka përgëzuar gratë deputete për angazhimin e tyre të pareshtur në avancimin e pozitës dhe rolit të gruas në shoqëri, ndërsa konfirmoi mbështetjen e tij të gjithanshme në këto angazhime.
“Unë do të përkrah GGD-në në çdo iniciativë për përmirësimin e pozitës së gruas dhe do të interesohem t’ju sigurohet mbështetja e nevojshme për mbarëvajtjen e angazhimeve të GGD-së”, ka thënë Veseli.
Deputetet, nga ana e tyre, kanë falënderuar kryetarin Velin për pritjen si dhe kanë kërkua që gratë të jenë të përfshira më shumë në trupa të Kuvendit, delegacione, grupe punuese etj.
Ndërsa, kryetarja e Bordit të GGD-së, Mexhide Mjaku-Topalli, ka përmendur nevojën për përkrahje nga Kuvendi për Grupin e Grave Deputete në projektet e këtij grupi, por edhe në sigurimin e stafit të përhershëm mbështetës.
/Epoka e re/