Veseli thotë se edhe tri ditë i ndajnë nga fitorja e PDK-së në Llap dhe gjithë Kosovën
Kandidati nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, në tubimin e sotëm me qytetarë të Podujevës, ka theksuar se vetëm edhe tri ditë i ndajnë nga fitoja e kësaj partie.
Veseli ka theksuar se orientimi i tij është në drejtim të fuqizimit të shtetit të pavarur dhe sovran, si dhe mbështetje për rininë, fermerët, ndërmarrësit, ku nuk do të ketë tatime të reja, përveç ulje të taksave.
Ai ka thënë se ka për qëllim që përmes fuqizimit të ekonomisë, ta fuqizojnë shtetin e pavarur dhe sovran.
Po ashtu, Veseli ka premtuar mbështetje për kategoritë e dala të luftës dhe rritje të pensioneve 80 për qind.
Për këtë platformë, Veseli ka kërkuar nga llapjanët që më 6 tetor ta votojnë PDK-në dhe ta fuqizojnë Kosovën dhe perspektivën e tyre.
“Orientimi ynë do të jetë në drejtim të fuqizimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Qëllimi im si kryeministër ka vetëm një qëllim. T’i përkrahim rininë, sektorin e teknologjisë së re, të gjithë fermerët, do të përkrah ndërmarrësit dhe nuk do të ketë asnjë tatim për ta. Po ashtu ndërtimet pa leje do të legalizohen. Pra, qëllimi është që përmes fuqizimit të ekonomisë forcojmë shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, ka thënë Veseli.
Ndërsa kandidati për deputet nga Dega e PDK-së në Podujevë, Rrustem Mustafa, është i bindur për fitoren e PDK-së në këto zgjedhje, sepse sipas tij, kjo parti ka platformën për luftimin e korrupsionit dhe ruajtjen e miqësisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, ka thënë se vetëm me Kadri Veselin kryeministër mund të ketë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e vendit.
Në anën tjetër, kryetari i Degës së PDK në Podujevë, Naim Fetahu, ka thënë se fitorja e PDK është e rëndësishme, sepse askush nuk di më mirë t’iu prijë proceseve nëpër të cilat kalon Kosova, se sa Kadri Veseli kryeministër.
Kandidatët për deputetë nga radhët e PDK-së nga Komuna e Podujevës janë: Rrustem Mustafa, Fahri Osmani, Floretë Zejnullahu, Shqiptar Demaçi, Ismet Abdullahu, Nexhmi Muçiqi dhe Naim Fetahu.