Veseli thotë se PDK-ja është adresa e vetme politike për të rinjtë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka marrë pjesë në kuvendin zgjedhor të Rinisë Demokratike në Malishevë, ku ishin të pranishëm qindra të rinj të kësaj komune që i janë bashkuar vizionit të kreut të PDK-së për Dekadën e Re.
Ai ka thënë se marrja e përgjegjësive politike nga rinia është garanci e transformimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.
“Është dekada e dytë e shtetit tonë, është dekada e tretë e lirisë, është momenti më vendimtar për vet kombin tonë, për vet shtetin tonë, në drejtimin që do ta merr Kosova jonë. Kjo është shumë me rëndësi. Nga ato të cilën do ta bëjmë në këto 10 vitet e ardhshme, do të varet jeta e juaj, jeta e familjes tuaj, do të varet situata e qytetit tuaj, në të njëjtën kohë do të varet se si do të jetë Kosova jonë e përbashkët. Për këtë arsye, është shumë me rëndësi kjo pjesëmarrje kaq masive e rinisë. Unë kur shoh kaq shumë të reja e të rinj të cilët e kanë entuziazmin dhe përgjegjësinë për t’u veshur me petk të përgjegjësisë, është shumë me rëndësi për vendin”, ka thënë Veseli.
Ai ka bërë me dije se rreth 20 mijë të reja e të rinj anekënd Kosovës janë futur në procesin zgjedhor në PDK. “Kjo është mrekulli. Kjo është e jashtëzakonshme, jo vetëm për një parti politike por për një vend. Për arsye se politika është mjeti përmes së cilës mundesh më së shumti t’i ndihmosh vendit tënd”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se PDK-ja në Dekadën e Re do ta ketë vizion transformimin ekonomik dhe mbështetjen e ideve inovatore të të rinjve për zhvillimin e ndërmarrësisë.
“Unë besoj tek ju dhe do t’ju jap përkrahje. Do ta keni përkrahjen e plotë. Nuk ka adresë politike e cila ekziston në Republikën e Kosovës që i jep më shumë hapësirë të rinjve sesa Partia Demokratike e Kosovës. Merrni vetëm shikoni sot bartësit e përgjegjësive në Qeverinë e Kosovës. Shumë e shumë Kuvende Komunale të cilat i kemi përfaqësuesit tanë, i kemi pikërisht nga rinia. Vazhdoni besimin në Partinë Demokratike të Kosovës. Ne jemi parti e Kosovës e cila e ka vizion të qartë transformimin politik, ndërmarrësinë në Republikën e Kosovës dhe krijimin e kushteve për të rinjtë e të rejat në mënyrën që të kenë mundësi të barabarta para ligjit dhe shtetit për ta zhvilluar shtetin”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/