Veseli u premton veteranëve të punësuar në sektorin privat pagë të plotë, të punësuarve në institucione 50 % dhe largimin e veteranëve të rremë
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, sot në Prishtinë ka takuar qindra veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Veseli ka thënë se kategoritë e luftës, duke përfshirë këtu familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, familjet e viktimave civile, ish të burgosurit politikë, përbëjnë një pjesë të ndjeshme të shoqërisë dhe meritojnë përkujdesje të veçantë nga shteti.
“PDK-ja do të vazhdojë të jetë krah jush edhe më shumë në mandatin e ardhshëm. Ne do t’i luftojmë pakompromis abuzimet dhe shpërdorimet, duke ndërmarrë hapa konkretë për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen e mashtruesve që janë futur në mënyrë abuzive në listat e veteranëve. Unë besoj në nevojën e aplikimit të politikave aktive sociale edhe tek çështja e veteranëve”, ka thënë ai.
Kjo qasje e politikave aktive sociale, sipas Veselit, nënkupton nxitjen e kategorive të ndryshme sociale që të jenë sa më autonome, të mos kenë varësi nga ndihma e qeverisë, të jenë sa më të integruara në shoqëri dhe të jenë pjesëmarrëse në jetën ekonomike.
“Ju inkurajoj që të kenë një rol sa më aktiv në shoqëri”, u ka thënë Veseli atyre.
Lideri i PDK-së ka premtuar se për ta inkurajuar punësimin në sektorin privat dhe luftuar informalitetin, në mandatin e ardhshëm qeverisës do të vendosë që të gjithë veteranët e punësuar në sektorin privat ta marrin të plotë pagesën e veteranit. Kurse, për të punësuarit në sektorin publik që marrin para nga taksapaguesit, Veseli ka thënë se kjo pagesë e veteranëve do të bëhet në 50%.
“Përveç pensioneve, përfituesit e skemës së veteranëve do të vazhdojnë të kenë benificione në lirim nga shpenzimet e energjisë elektrike dhe lirim nga shpenzimet e zhdoganimit të veturave. Po ashtu, do u jepet përparësi në marrjen e kredive për hapjen e bizneseve apo në suvencione bujqësore, në mënyrë që veteranët të ndërtojnë bizneset e tyre të suksesshme dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit”, ka thënë Veseli.
Në anën tjetër, ai ka kërkuar nga veteranët mbështetje në luftën kundër korrupsionit, e cila është shkaktarja më e madhe e emigrimit të të rinjve dhe pengesa më e madhe për të ardhmen e Kosovës.
“Unë jam i bindur që juve ju dhimbset Kosova si pakkujt tjetër, sepse ju keni qenë të gatshëm ta jepni jetën për Kosovën. Të gjithë ne si ish-luftëtarë mbajmë mbi supe barrën e rëndë të amanetit të bashkëluftëtarëve që na kanë rënë në fushëbeteja afër nesh, të cilët kanë ëndërruar një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të zhvilluar. Prandaj ju ftoj të gjithëve që të bashkoheni në luftën kundër korrupsionit për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Lideri i PDK-së u ka thënë veteranëve se bashkë kanë luftuar për ta çliruar Kosovën nga pushtuesit dhe bashkë duhet të luftojmë për ta çliruar Kosovën edhe nga korrupsioni.
Veseli ka thënë se edhe kjo luftë do të jetë e vështirë, por sërish do të fitojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe gjeneratat e reja.