Veseli në Strasburg për liberalizim të vizave
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitave që ka nisur në kryeqendrat evropiane për të diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, të hënën ka udhëtuar për në Strasburg.
Gjatë kësaj vizite, kryeparlamentari Veseli do të pritet të martën në takim të veçantë nga kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.
Në takimet me kryetarin e Parlamentit Evropian dhe zyrtarë të lartë evropianë, kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për përmbushjen e gjitha kritereve nga ana e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave dhe do të kërkojë vendimmarrjen e nevojshme në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi lëvizjen pa viza në Zonën Shengen gjatë këtij viti.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, kryetari i Kuvendit, Veseli, do të ketë takime të ndara edhe me raportuesen për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon si dhe me eurodeputetë tjerë, si Tonino Picula, i cili udhëheqë delegacionin evropian për Kosovën dhe eurodeputetë nga Partitë Popullore Evropiane, si Cristian Dan Preda dhe David McAllister.
/Epoka e re/