Veseli: Ulësja në OKB na bashkon pozitë dhe opozitë
Në takimin e liderëve të koalicionit qeverisës bashkë me presidentin Hashim Thaçi, të mbajtur sot, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka paraqitur një dokument-kornizë, me qëllim të arritjes së një konsensusi në dialogun Kosovë – Serbi.
Në një prononcim për “Ekonomia Online”, kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se dokumenti i propozuar do të shërbejë si fillim i mbarë i ndërtimit të një konsensusi, duke përfshirë edhe opozitën, për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë në Bruksel.
“Jemi duke e ndërtuar konsensusin. Ulësja në OKB për shtetin tonë të pavarur dhe sovran është një konsensus që na bashkon të gjithëve, opozitë dhe opozitë; integrimi në Bashkimin Europian, në NATO dhe reformat në sistemin tonë legjislativ dhe ekonomik. Unë besoj shumë që ai dokument do të jetë vetëm një nismë e mbarë e ndërtimit të një konsensusi të përgjithshëm, të cilin e kam ofruar, në mënyrë që të gjithë bashkërisht, pozitë dhe opozitë të jemi në procesin e dialogut dhe në të njëjtën kohë në finalizimin e procesit për anëtarësim në OKB për shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Kjo, tek e fundit, është arsyeja pse shkojmë në dialog”, ka theksuar Veseli.