Veseli: Urgjentisht të miratohet pakoja e rimëkëmbjes ekonomike për ta ndihmuar sektorin privat
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar sot njërën nga kompanitë prodhuese të betonit dhe ndërtimit, për tu njohur nga afër me sfidat dhe problemet që po përballet ky sektor në kohën e pandemisë.
Me këtë rast, Veseli ka thënë se pakoja emergjente për rimëkëmbje ekonomike e propozuar nga PDK-ja duhet të miratohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, me miratimin e kësaj pako do të përfitojnë 70 mijë ndërmarrës dhe 280 mijë punonjës në sektorin privat.
“Jam shumë i bindur se do ta kalojmë pakon emergjentë e cila do t’i ndihmojë jo vetëm familjet në nevojë, por edhe gjithë punëtorët dhe bizneset e prekura në sektorin privat”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka vizituar pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me ç’rast ka shprehur ngushëllime për vdekjen e oficerit doganor në pikën kufitare në Vërmicë.
Veseli ka shprehur falënderim për punën që po e bëjnë Policia e Kosovës dhe doganierët në këtë kohë pandemie.
Kryetari i PDK-së është interesuar edhe për funksionimin e kësaj pike doganore, ku me këtë rast, udhëheqësi i pikës doganore në Han të Elezit, Sabit Brava e ka njoftuar se kryesisht po kthehen qytetarët që ndodhen jashtë Kosovës si dhe po zhvillohet normalisht qarkullimi i mallrave.
Pas qëndrimit në Han të Elezit, kryetari i PDK ka vizituar Komunën e Kaçanikut ku ka takuar kryetarin Besim Ilazi, i cili e ka informuar për punën e komunës në përballje me Covid-19.