Veseli uron besimtarët për Pashkë: Në këto ditë na nevojiten mesazhe shprese
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të gjithë besimtarëve të krishterë ua ka uruar Pashkët, duke thënë se kjo ditë e bekuar këtë vit e ka gjetur Kosovën në luftë me koronavirusin, prandaj kjo festë le të na nxisë që të tregohemi më rigorozë për zbatimin e këshillave të institucioneve shëndetësore të cilat pengojnë përhapjen e pandemisë.
Veseli, në një shkrim në “Facebook”, ka thënë se harmonia dhe toleranca fetare janë në themel të kombit tonë, prandaj këtë ditë e festojmë bashkë.
Shkrimi i Veselit:
Sot dëshiroj t’i uroj përzemërsisht të gjithë besimtarët e krishterë, gëzuar Pashkët! Harmonia e toleranca fetare janë në themel të kombit tonë, prandaj këtë ditë e festojmë bashkë. Pashkët simbolizojnë rimëkëmbjen, ringjalljen, ngadhënjimin e të mirës ndaj të keqes, mesazhe shprese këto që na nevojiten më së shumti në këtë periudhë.
Dita e bekuar e Pashkëve këtë vit e ka gjetur Kosovën në luftë me koronavirusin, prandaj kjo festë le të na nxisë që të tregohemi më rigorozë me zbatimin e këshillave që pengojnë përhapjen e pandemisë. Le të tregojmë më shumë kujdes për veten dhe për të tjerët, sidomos për të moshuarit që janë më të rrezikuarit.
E kuptoj mirë që, siç e do tradita, këtë ditë doni ta kremtoni bashkë me sa më shumë familjarë e miq, por ju lutem bëni kujdes. Më mirë të mbani distancë sociale e ta ndieni mungesën e të afërmve sot që të mund të festojmë më bukur, të gjithë, pa mungesë të askujt, mot.
Urime më të mira pra, për secilin prej jush, duke dëshiruar që kjo festë të sjellë në familjet tuaja sa më shumë paqe, dashuri, mirësi dhe shëndet!