Veseli uron Maqedoninë e Veriut për finalizimin e procesit të anëtarësimit në NATO
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka uruar Maqedoninë e Veriut për finalizimin e procesit të anëtarësimit në NATO.
Ai ka thënë se përmbyllja e këtij procesi ka rendësi historike jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për Kosovën dhe rajonin.
“Urimet më të mira për Maqedoninë e Veriut e cila sapo ka finalizuar procesin e anëtarësimit në NATO pas votimit në senatin spanjoll. Kjo është një ngjarje e rëndësishme historike jo vetëm për fqinjët tanë por edhe për Kosovën e mbarë rajonin sepse forcon stabilitetin dhe sigurinë për gjithë Ballkanin Perëndimor. Përgëzime të veçanta për bashkëkombasit tanë dhe partitë politike shqiptare në këtë shtet, të cilët kanë luajtur një rol vendimtar në këtë arritje. Shpresoj që lajmi i sotshëm i gëzueshëm të pasohet së shpejti edhe me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/