Veseli: Ushtria do të bëhet brenda vitit
Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur.
Në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, propozoi ndryshimin e tri ligjeve për FSK-në.
Tri ligjet e propozuara nga ai, janë miratuar në Qeveri pa asnjë votë kundër, por në mbledhje nuk ishin të pranishëm ministrat serbë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në “Rubikon” të “KTV”-së ka thënë se kryeministri Haradinaj ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kryeministri ka pasur koordinimin e vetë. E ka pa të arsyeshme, unë e kam përkrahur këtë momentum”, ka thënë Veseli. “Deklaratën e Ambasadës së SHBA-së, unë e shoh si një thirrje edhe për komunitetin serb, që nuk është mirë që të bllokohet Kosova”, u përgjigj ai i pyetur se si e sheh deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Veseli ka thënë se pret që transformimi i FSK-së të bëhet brenda këtij viti.
Sipas projektligjit, i cili në fakt është hartuar që më 2014, FSK-ja do të rrisë numrin e pjesëtarëve të saj nga 2500 sa ka aktualisht, në 5 mijë, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për ruajtjen e territorit, integriteti dhe sovranitetit të saj.
Ndryshe, ambasada amerikane përmes një deklarate ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.