Veseli: Ushtria e Kosovës po bëhet, s’ka kthim
“Në bazë të të gjitha analizave që i kemi bërë me miqtë nga NATO sa i përket strategjisë së sigurisë do të kemi pesë mijë ushtarë aktivë dhe tre mijë rezervë”, kështu ka thënë kryeparlamentari Kadri Veseli.
Thirrjen e presidentit të Serbisë drejtuar serbëve, e ka komentuar Veseli për gazetën kroate “Veçernji list” i cili e ka akuzuar Vuçiqin që po i manipulon serbët e Kosovës.
“Pa marrë parasysh në protestat që vijnë nga Beogradi, jemi të vendosur të themelojmë ushtrinë e Kosovës dhe më këtu nuk ka kthim”, ka thënë Veseli, duke shtuar se ky proces do të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar.
“Këtë do ta bëjmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe jemi në kontakt të përhershëm me ShBA-të, partnerët tanë nga NATO, Gjermaninë, Francën, Italinë, Kroacinë, Britaninë e Madhe… Për shkak të presioneve nga Beogradi, Lista Serbe ka qenë e përmbajtur gjatë votimit të ligjeve për ushtrinë e Kosovës dhe hapur kanë thënë se janë kundër. I kemi pasur dy opsione rreth iniciativës për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. E para, përmes ligjit për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, dhe e dyta përmes ndryshimit të Kushtetutës, që nuk ishte e mundshme të bëhet pasi që Lista Serbe ishte kundër. Prandaj kemi vendosur në transformim për çka nuk ishte e nevojshme 2/3 e deputetëve e as mbështetja nga Lista Serbe”, ka është shprehur Veseli.
Po ashtu Veseli ka theksuar se Kosova është vend që dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, e jo luftë.
Sipas tij, transformimi nuk do të thotë që Kosova dëshiron luftë ose do të zhvillojë politikë agresive, siç dëshiron ta paraqesë Vuçiqi.
“Këtë e kuptojnë plotësisht qytetarët tanë të nacionalitetit serb të cilët me gjithë presionin nga Beogradi kanë hyrë në radhët e ushtrisë së Kosovës. Deri në fund të vitit ushtria e Kosovës do të jetë plotësisht e formuar. Qëllimi i ushtrisë do të jetë lufta kundër terrorizmit dhe kërcënimi global jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Atë që Vuçiqi e kundërshton dhe i fton serbët që mos të përfshihen në ushtrinë e Kosovës, nuk është njerëzore dhe as korrekte. Ne jemi shtet i pavarur dhe serbët që jetojnë në Kosovë janë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Veseli.