Veseli: Varret e Reçakut presin drejtësi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak, për të kujtuar viktimat e njërës prej masakrave më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.
Pas homazheve, është mbajtur edhe një akademi përkujtimore, ku kryeparlamentari Veseli ka thënë se janari është muaji i rënieve të mëdha dhe i dhimbjeve të mëdha.
“Është muaji i Reçakut, fshatit të martirizuar për lirinë e Kosovës. Sot bëhen 19 vjet nga dita e kobshme e 15 janarit të vitit 1999. Vitet po kalojnë, por kujtimi dhe përmasa e asaj dite nuk do të harrohen kurrë. Sot, ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Pas 1 muaji, festojmë 10 vjetorin e pavarësisë, por një gjë duhet ta kemi parasysh: Beteja e Reçakut ende nuk ka përfunduar. Kjo është beteja e drejtësisë për Reçakun. Kjo është beteja për të vërtetën e Reçakut”, ka thënë Veseli.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se varret e Reçakut presin drejtësi. “Ata që urdhëruan dhe ekzekutuan krimin mbi Reçak ende janë të lirë. Ky është turp për drejtësinë ndërkombëtare”, është shprehur ai, duke shtuar se nuk mund të ketë drejtësi ndërkombëtare pa u vendosur drejtësia për Reçakun, si dhe për masakrat tjera të kryera në Kosovë gjatë luftës.
“Nuk ka drejtësi ndërkombëtare aty ku synohet të vendoset barazimi në mes agresorit dhe viktimës. Nuk ka drejtësi aty ku tentohet të vendoset barazimi në mes një ushtrie gjenocidale dhe një lëvizje çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet unike në pastërtinë e kauzës dhe luftës së saj. Çdo përpjekje që përmes gjykatave të deformohet karakteri i saj, paraqet një sfidë të madhe për të gjithë ne. Tanimë para nesh kemi një sfidë të pashmangshme, por të tejkalueshme. Sfida e Gjykatës Speciale është një betejë që duhet ta fitojmë, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë”, ka deklaruar Veseli.
Ai, po ashtu, ka thënë se masakrat serbe do të dënohen. “Masakrat serbe mbi njerëzit tonë do të dënohen, së bashku me këtë edhe kryesit dhe urdhëruesit e tyre do të dalin para drejtësisë. Shteti i Kosovës, institucionet gjegjëse, nuk do të lënë veprim pa ndërmarrë që t’i shkohet deri në fund holokaustit kundër shqiptarëve”, ka deklaruar Veseli.