Veseli: Verës presim lajmin e madh për vizat
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim delegacionin e Partive Popullore Evropiane, të kryesuar nga Andrey Kovatchev.
Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli i ka informuar deputetët evropianë për progresin e madh që ka bërë Kosova në rrugën e reformave, me theks të veçantë në përmbushjen e gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se tashmë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, ndërsa ka theksuar se institucionet kosovare po vazhdojnë punën në reformën e agjendës evropiane, e cila do të sigurojë forcimin e mëtejmë të sundimit të ligjit dhe do të ndikojë në rritjen ekonomike.
Ndërkohë deputetët e Parlamentit Evropian janë interesuar për punën e Kuvendit të Kosovës dhe kanë shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit.
Ata e kanë njoftuar kryeparlamentarin Veseli se gjatë verës institucionet përkatëse të BE-së do të japin sinjalet e qarta sa i përket procesit të liberalizmit të vizave.
/Epoka e re/