Veseli: Vijat e mia të kuqe janë për korrupsionin dhe Serbinë, jo për shqiptarët
Derisa partitë tjera politike kanë folur për vija të kuqe lidhur me koalicionet zgjedhore, Kadri Veseli ka thënë se ai dhe partia e tij PDK i kanë vetëm dy vija të kuqe: për korrupsionin dhe për Serbinë.
“PDK ka vija të kuqe, ka vija të kuqe të trasha. Në rend të parë, ndaj Serbisë. Sovraniteti dhe integriteti territorial do të jetë i pacenueshëm përjetë, për aq sa fuqizimi i shtetit tonë. Ka edhe disa vija të kuqe. Të gjithë të korruptuarit, ata që i përkrahin të korruptuarit dhe nepotizmin, nuk kanë me pasë vend në qeverisjen dhe në partneritetin me PDK-në. Po ua jap fjalën”, ka deklaruar Veseli në një intervistë për Ekonomia Online.
Lideri i PDK-së ka thënë se partia e tij nuk u takon vijave diferencuese mes shqiptarëve.
“Disa janë mësuar në jetën e tyre të bëjnë vetëm vija të kuqe mes shqiptarëve, diferencojnë dhe distancojnë. Nuk i kam takuar, as kurrë nuk do t’i takojë PDK, partia e UÇK-së, vijave diferencuese mes shqiptarëve”, është shprehur Veseli.
Ai ka pohuar se korrupsioni dhe nepotizmi janë duke i zbehur shpresat e të rinjve, ndërsa ka deklaruar se orientimi i tij do të jetë një qeverisje që ndihmon inovatorët, rininë dhe ndërmarrësit.
“Ky duhet të jetë orientimi, një fuqizim i shtetit dhe pakompromis ndaj çdo cenimi që i vjen sovranitetit dhe integritetit territorial. Por, mençurish një partneritet i cili nuk e çon Kosovën drejt konfrontimit me SHBA-në dhe BE-në, edhe pse disa po mendojnë se janë më të fortë. Më të fortë jemi kur jemi bashkërisht me partnerët perëndimorë. Kosova është euroatlantike, ky do të jetë drejtimi jonë”, ka thënë Veseli në një intervistë për Ekonomia Online.
Lideri i PDK-së ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe deputetët e PDK-së më 22 gusht do të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit.
“Opsioni më i mirë për qytetarët janë zgjedhjet. Kam thirrur seancën e Kuvendit më datë 22 gusht. PDK-ja shkon për të votuar shpërndarjen e Kuvendit. Ne duhet t’i japim qytetarëve një qeverisje e cila e ka një standard të fuqishëm në vete, luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe hapjen e perspektivës për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, për ndërmarrësit tanë. Në mënyrë që të kemi një zhvillim të hovshëm ekonomik, i cili është i mundshëm vetëm në momentin kur në këtë shtet sundon ligji dhe kur të korruptuarit, korrupsioni dhe nepotizmi largohen si fenomene. Rinia jonë duhet të jetojë në Kosovë. Ky është preokupimi im. Ky është edhe programi im qeverisës për 4 vjetët e ardhshme, por edhe i PDK-së. Ne duhet t’i japim shpresë këtij vendi, jo përçarje. Ne duhet t’i bashkojmë qytetarët tanë, jo ndarje. Ne duhet të jemi më të fuqishëm përballë të gjithë oponentëve tanë, të cilët janë kundër pavarësisë, por edhe të jemi partnerë me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, është zotuar se gjatë qeverisjes së tij si Kryeministër do të largojë nga gjitha institucionet publike personat e akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm.
“Jo vetëm që e kam seriozisht, por do t’i shkoj deri në fund këtij rrugëtimi. Të gjitha proceset ku jam futur kam qenë shumë serioz. Edhe në luftën për liri në UÇK kur e kemi filluar në vitin 1991 ka pasur skepticizëm, por kemi arritur 12 Qershorin dhe më pas 17 Shkurtin. Edhe në largimin e uzurpatorëve, të cilët për 18 vjet kanë mbajtur të uzurpuar pronën publike, ka pasur hezitime dhe skepticizëm se nuk do të largohen kur e kam filluar këtë aksion si Kryetar i Kuvendit. Por, ju e dini se të gjithë ata janë larguar”, është shprehur ai.
“Për më tepër, ju zotohem se brenda 6 muajve të qeverisjes sime do të filloj një iniciativë edhe më të fuqishme, e cila do të drejtohet drejtpërdrejt ndaj atyre që kanë bërë pasuri në mënyrë të paligjshme në Republikën tonë. Do t’ju konfiskohet e gjitha dhe nuk kanë për ta gëzuar”, ka deklaruar Veseli për Ekonomia Online.