Veseli viziton Ferronikelin, premton përkrahje të fuqishme për investitorët e rinj në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar të mërkurën kompaninë “NewCo Ferronikeli” në Drenas.
Gjatë vizitës së tij, Veseli ka theksuar rëndësinë e kësaj kompanie jo vetëm për Komunën e Drenasit dhe për impaktin që ajo ka në krijimin e mirëqenies së qindra punëtorëve të këtij rajoni, por edhe për tërë Kosovën.
Ai ka thënë se tashmë në Ferronikel është një investitor serioz, i cili në një afat rekord ka arritur të riaktivizojë prodhimin dhe t’i paguaj pagesat e punëtorëve, të cilët mbajnë afër një mijë familje.
“Institucionet e Kosovës do t’u japin përkrahje të vazhdueshme investitorëve. Kemi projektligjin e ri në shqyrtim, i cili do t’u japë perspektivë edhe më të madhe atyre. Janë burime të cilat presin, sikurse krenaria e Kosovës, Trepça, e cila me ligjin e ri do të ketë një transformim dhe do të ndikojë në rritjen e eksportit, të ekonomisë kosovare, punësimit dhe të perspektivës së Kosovës”, është shprehur kryeparlamentari Veseli.
Ai ka ftuar investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë, në energji, miniera, prodhim dhe shërbime tjera, ngase sipas tij Kosova është një vend i lirë, me ligje stimuluese për investitorë.
Kreu i Kuvendit ka folur fjalë miradije për investitorin e ri të Ferronikelit, të cilin e konsideroi njërin nga investitorët më të mëdhenj në hapësirat shqiptare dhe më tej.
“Të gjithë janë të kënaqur që fabrika e Ferronikelit është rikthyer në punë me kapacitet të plotë të prodhimit, si dhe me investimet e bëra nga investitori i ri, Grupi Balfin. Institucionet tona do të vazhdojnë të japin përkrahje të fuqishme në zgjerimin e kapaciteteve operative dhe prodhuese të kësaj fabrike”, ka theksuar Veseli.
Pronari i ri i Ferronikelit, Samir Mane, ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për vizitën dhe mbështetjen e tij.
“Do të ofroj përkrahje të plotë për Ferronikelin, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin e afërt me komunitetin e saj”, ka deklaruar Mane.
/Epoka e re/