Veseli viziton liqenin e Badovcit, kërkon nga qytetarët ta kursejnë ujin e pijshëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Migjen Kelmendi, ka vizituar të martën liqenin e Badovcit.
Veseli ka thënë se reshjet e pakta gjatë dimrit dhe temperaturat e larta të javëve të fundit, kanë bërë që uji në liqenin e Badovcit të shkojë në nivel shumë të ulët.
Në këtë kontekst, ai ka kërkuar nga qytetarët që ta kursejnë ujin e pijshëm. Më tutje, Veseli ka bërë me dije se programi i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pasur prioritet që pas ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, të ndërmerreshin investime strategjike në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe për ujitje.
“Reshjet e pakta gjatë dimrit dhe temperaturat e larta të javëve të fundit, kanë bërë që uji në liqenin e Badovcit të shkojë në nivel shumë të ulët. Për rrjedhojë, është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të tregohemi sa më të kujdesshëm e kursimtarë me konsumin e ujit gjatë muajve të thatë të verës që pritet të vijnë”.
“Kosova është relativisht e varfër me ujëra, prandaj, programi i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pasur prioritet që pas ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, të ndërmerreshin investime strategjike në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe ujë për ujitje. Për këtë qëllim, është e nevojshme që shteti ynë të fillojë të investojë për ndërtimin e njëzet ujëmbledhësve sipërfaqësorë të ujit, të cilët, janë planifikuar të ndërtohen që para dekadash”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”. (L.G/ Epoka e re)