Veseli viziton qendrën tregtare “Albi Mall”, premton mbështetje për bizneset
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar qendrën tregtare “Albi Mall” ku është pritur nga pronari i saj Tahir Humolli.
Ai ka thënë se “Albi Mall”, është e kompletuar dhe konkurruese me ato të metropoleve evropiane.
“Qendrat Tregtare në Kosovë janë të kompletuara dhe konkurruese me ato të metropoleve evropiane. Një e tillë është edhe “Albi Mall”, ku bashkë me pronarin Tahir Humolli vizituam disa biznese që operojnë aty dhe takuam qytetarë të shumtë. Kjo qendër dhe suksesi i saj dëshmojnë aftësitë e ndërmarrësve tanë, të cilët ecin me hapa të shpejtë përpara kur u jepet mundësia”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka premtuar përkrahje për bizneset vendore në mënyrë që të ndërtohet një e ardhme më e mirë në shtetin e Kosovës.
“Në të ardhmen do të krijojmë sa më shumë hapësirë dhe mundësi që bizneset e tilla të zgjerohen dhe të punësojnë edhe më shumë të rinj. Po ashtu, prioritet kryesor për mua është mbështetja e sektorit të prodhimit, që këto qendra të mbushen me produkte vendore cilësore. Vetëm me një sektor privat të suksesshëm, ne mund ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë në vendin tonë”, është shprehur Veseli./Epoka e re/