Veseli viziton strukturat partiake në Skenderaj, kërkon angazhim për fitore
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vazhduar agjendën e takimeve në terren.
Pas Ferizajt e Kaçanikut, ai ka takuar strukturat e PDK-së në Skenderaj.
Veseli ka folur për nevojën e një angazhimi edhe më të madh në shërbim të vendit dhe përmbushjes së pritjeve të qytetarëve të Kosovës. “Kosova ndodhet në një situatë aspak të lehtë. Sfidat që ka para vetes janë të mëdha, por edhe të përballueshme. Ne kemi ditur të tejkalojmë momente historike të vështira, kur jemi bashkuar dhe kemi qenë në rrugën e drejt. PDK-ja është parti shtetformuese që buron nga lufta për liri e çlirim të popullit të Kosovës, dhe do të di si të sillet”, ka thënë Veseli.
Ai ka kërkuar nga Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj që të punojnë pandërprerë për t’i sjellë fitore të reja partisë, dhe që asnjëherë të mos e humbasin besimin në këtë parti.
Ndërsa kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka falënderuar kryetarin Veseli për vizitën, duke premtuar angazhim e mobilizim edhe më të madh të partisë në nivel komune.