Veseli viziton varrin e Isa Boletinit, thotë se amaneti i tij nuk do të harrohet
Gjatë vizitës në veri, kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka vizituar edhe varrin e Isa Boletinin, në fshatin Boletin.
“Me këtë veprim doja të kujtoja një ditë të shënuar. Si sot, 109 vjet më parë, në majën e Bratilës së malit Deçiq sipër Tuzit, Dedë Gjo Luli ngriti flamurin shqiptar për herë të parë 443 vjet pas vdekjes së Skëndërbeut e 20 muaj para se të ngrihet nga Ismail Qemali në Vlorë. Prej atëherë lumenj gjaku janë derdhur që ai flamur të valvitet i lirë e krenar në trojet shqipëtare”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se në këto përpjekje, Kosova ka mbajtur mbi kurriz barrën më të rëndë, duke e vaditur këtë tokë me gjak heronjsh për të arritur në pavarësinë që gëzojmë sot.
“Prandaj shkova pranë varrit të Isa Boletinit, jo vetëm për të bërë homazh ndaj njërit prej veprimtarëve tanë më të shquar, por edhe për të rikonforimuar zotimin, se amanetin e tij dhe dëshmorëve të tjerë kurrë nuk do ta harrojmë. Fshati Boletin është tokë e Shalës, tokë e Kosovës dhe kësillloj ka me mbetë përjetë!”, ka deklaruar Veseli.